
Instituti Norvegjez i Nobelit tha se Çmimi Nobel për Paqen nuk mund të transferohet, ndahet ose revokohet, pas vërejtjeve të udhëheqëses së opozitës venezueliane, María Corina Machado, e cila sugjeroi se ajo mund t’ia jepte çmimin e saj të vitit 2025 Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Në një deklaratë, instituti tha se vendimi për të dhënë një Çmim Nobel është përfundimtar dhe i përhershëm, duke cituar statutet e Fondacionit Nobel, të cilat nuk lejojnë apelime. Organizata gjithashtu vuri në dukje se komitetet që japin çmimet nuk komentojnë mbi veprimet ose deklaratat e laureatëve pas marrjes së çmimeve, shkruan Reuters.
“Sapo shpallet një Çmim Nobel, ai nuk mund të revokohet, ndahet ose transferohet te të tjerët”, thanë të premten Komiteti Norvegjez i Nobelit dhe Instituti Norvegjez i Nobelit. “Vendimi është përfundimtar dhe vlen përgjithmonë.”
Të hënën, Machado, duke folur me Sean Hannity në Fox News, tha se dorëzimi i çmimit Trump do të ishte një akt mirënjohjeje nga populli venezuelian për largimin e Nicolás Maduro, presidentit të vendit, i cili u kap javën e kaluar nga Shtetet e Bashkuara.
“A i ofrove ndonjëherë Çmimin Nobel për Paqen?” pyeti Hannity. “A ndodhi vërtet kjo?”
Ajo u përgjigj: “Epo, kjo nuk ka ndodhur ende.”