Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në magazinat e 5 majit dëmtoi qindra biznese e dyqane



Dy kapanonet e djegura në tregun e rrobave në zonën e “5 Majit” në Tiranë kanë prekur mbi 100 dyqane, me një sipërfaqe totale rreth 10 mijë metra katrorë.

Sipas ekspertëve, zjarri dyshohet se ka nisur nga një kabull elektrik në mes të kapanonit. Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë flakët, që sipas ngjyrës karakteristike të tyre, mund të lidhen me elektricitetin.

Një prej pronarëve të dyqaneve të përfshira nga zjarri deklaroi se flakët kanë ardhur nga panelet e dritave dhe fajëson strukturat për ngjarjen. Ai vlerëson dëmin rreth 200 milionë lekë dhe shtoi se biznesi i tij nuk ishte i siguruar, pasi nuk plotësonte kriteret e sigurimit.

“Dyqani im ishte më i vogli, dëmi rreth 200 milionë. Dyqanet ishin pa sigurim. Zjarri nuk erdhi për fajin tonë, por nga panelet. Shikoni kamerat”, tha ai.

Një tregtare tjetër, e prekur rëndë nga zjarri, kritikoi ashpër shërbimin zjarrfikës, duke theksuar se pajisjet dhe mjetet janë të vjetruara dhe jashtë standardeve. Ajo tha se kapanonet e saj mund të ishin shpëtuar, pasi kur mbërriti në vendngjarje, flakët ende nuk i kishin përfshirë. Sipas saj, zjarri përhapet nga lart, duke djegur dy kapanonet.

Tregtarja ngriti gjithashtu shqetësime për mungesën e ndërhyrjes së policisë, duke u shprehur se efektivët vetëm vëzhgonin situatën, ndërsa tregtarët trajtoheshin si të dyshuar.

“Zjarrfikësit janë jashtë standardit. Ne do të hyjmë në BE me pajisje të viteve ’80 dhe ’90. Shumë dëme. Këto kapanone mund të ishin shpëtuar. Policia vetëm bëri sehir, na trajtoi si kriminelë”, u shpreh tregtarja.