
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi rikthimin e protestave të përditshme në shesh, duke theksuar se qëndresa paqësore është rruga për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se protesta e 22 dhjetorit dhe qëndresa e opozitës në Kuvend kanë pasur “jehonë të jashtëzakonshme botërore” dhe e cilësoi atë si një betejë të fituar në rrafshin e së drejtës.
“Ne e nisëm betejën tonë. E nisëm në parlament dhe më pas në shesh. Opozitën e keni të vërtetë. Ne nuk jemi parti e dhunës. Rruga jonë është qëndresa paqësore, sheshet dhe protesta qytetare,” u shpreh Berisha.
Ai solli si shembuj historikë vitin 1991 dhe 1997, duke theksuar se Partia Demokratike ka fituar gjithmonë përmes qëndresës dhe votës, jo dhunës. Sipas tij, edhe kësaj here ndryshimi do të vijë përmes mjeteve demokratike.
Berisha deklaroi se opozita do t’i rikthehet sheshit çdo natë, deri në largimin e Ramës nga pushteti. “Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën. Nuk mund të qëndrojë aty. Hyjmë në vitin 2026 me misionin për të përmbysur një diktaturë të dytë në Shqipëri,” tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të opozitës që të jenë në lartësinë e misionit, duke njoftuar se në janar do të nisë beteja politike “deri në fitore”.