Vendosni fjalën kyçe....

Samiti BE–Ballkani Perëndimor mbahet sot në Bruksel, fokus zgjerimi dhe integrimi gradual



Liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Bruksel në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, me në fokus forcimin e marrëdhënieve strategjike dhe procesin e zgjerimit.

Samiti kryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ndërsa Bashkimi Evropian përfaqësohet gjithashtu nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Sipas Bashkimit Evropian, takimi synon të rikonfirmojë angazhimin e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor dhe përfitimet konkrete të kësaj marrëdhënieje për qytetarët e rajonit, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik.

Në përfundim të samitit pritet të miratohet Deklarata e Samitit BE–Ballkani Perëndimor, përmes së cilës partnerët e rajonit pritet të riafirmojnë harmonizimin me politikat dhe qëndrimet e BE-së.

Gjatë diskutimeve do të theksohet rëndësia e reformave konkrete, harmonizimit me legjislacionin e BE-së, bashkëpunimit rajonal, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pajtimit, si elemente kyçe të procesit të integrimit.

Po ashtu, pritet që BE-ja të riafirmojë perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe progresin e shënuar në procesin e zgjerimit, si dhe të mirëpresë hapat drejt integrimit gradual të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së, përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Samiti i radhës BE–Ballkani Perëndimor është parashikuar të mbahet në qershor të vitit 2026 në Mal të Zi.