Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Gazetarët janë rojtarë të interesit publik dhe garantë të transparencës, detyra jonë është t’u ofrojmë mbrojtje


Komisioni për Median dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi sot një dëgjesë publike në kuadër të punës për ligjin e ri të mediave, ku u diskutuan ndryshimet e propozuara në legjislacion me qëllim forcimin e lirisë së shprehjes dhe garantimin e mbrojtjes së gazetarëve.

Dëgjesa u mbajt në praninë e ekspertëve, përfaqësuesve të organizatave të gazetarëve dhe aktorëve të shoqërisë civile, duke u vlerësuar si një hap i rëndësishëm drejt një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.

Në fjalën e saj në hapje të dëgjesës, kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, theksoi se liria e shprehjes mbetet një nga çështjet më të ndjeshme për Shqipërinë, si në raport me standardet demokratike, ashtu edhe në procesin e integrimit europian.

Ajo nënvizoi se ky shqetësim reflektohet qartë edhe në raportet e fundit të Bashkimit Europian, të cilat kërkojnë përmirësim të kuadrit ligjor dhe praktikës institucionale në fushën e medias.

“Gazetarët janë rojtarë të interesit publik dhe garantë të transparencës. Detyra jonë institucionale dhe politike është t’u ofrojmë mbrojtje reale dhe efektive,” u shpreh Tabaku, duke theksuar se ndryshimet ligjore duhet të synojnë krijimin e një klime ku gazetaria e pavarur të ushtrohet pa presion dhe frikë.

Ajo sqaroi se procesi i nisur nuk kufizohet vetëm në disa ndërhyrje teknike, por synon një qasje më të gjerë reformuese, në përputhje me praktikat më të mira europiane.

Kjo përfshin trajtimin e padive strategjike kundër gazetarëve (SLAPP), rishikimin e legjislacionit për median audiovizive dhe nevojën për një kuadër të qartë ligjor që përcakton statusin dhe garancitë e gazetarit, ashtu siç rekomandohet edhe nga partnerët europianë.

Tabaku vlerësoi kontributin e ekspertëve dhe organizatave të gazetarëve, duke nënvizuar se sugjerimet e tyre janë në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian dhe përbëjnë një bazë të rëndësishme orientuese për përmirësimin e draftit ligjor.

Ajo theksoi se Komisioni është i angazhuar që procesi të vijojë me transparencë të plotë, debat publik dhe konsultim të gjerë.

Në përfundim, kryetarja e Komisionit siguroi se vendimmarrja do të udhëhiqet nga interesi publik dhe nga objektivi i qartë për të ndërtuar një kuadër ligjor modern, funksional dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian, duke forcuar kështu demokracinë dhe besueshmërinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.