Vendosni fjalën kyçe....

Dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil vriten në Siri në një sulm të dyshuar të Shtetit Islamik


Dy ushtarë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara dhe një përkthyes civil u vranë të shtunën në Siri, ndërsa tre ushtarë të tjerë amerikanë mbetën të plagosur, pas një sulmi të dyshuar të kryer nga Shteti Islamik, njoftoi ushtria amerikane.

Sipas autoriteteve amerikane, sulmi u krye nga një person i armatosur, i cili shënjestroi një autokolonë të forcave amerikane dhe atyre siriane në qytetin Palmyra, në qendër të Sirisë, gjatë një takimi operacional me drejtues lokalë, përcjell Reuters.

Sulmuesi u qëllua për vdekje nga forcat partnere.

Një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se vlerësimet paraprake tregojnë se sulmi “me shumë gjasë është kryer nga Shteti Islamik”, edhe pse grupi militant nuk e ka marrë ende përgjegjësinë. Sipas tij, ngjarja ndodhi në një zonë që nuk kontrollohet nga qeveria siriane.

Autoritetet siriane thanë se sulmuesi ishte pjesë e forcave të sigurisë siriane, por pa rol drejtues.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Sirisë, Noureddine el-Baba, deklaroi për televizionin shtetëror se “më 10 dhjetor ishte bërë një vlerësim se ky person mund të kishte ide ekstremiste dhe ishte planifikuar të merrej një vendim për të ditën e diel”.

Ai shtoi se autoritetet siriane kishin paralajmëruar për rrezikun e një sulmi të Shtetit Islamik në atë zonë, por se “forcat e koalicionit nuk i morën parasysh këto paralajmërime”.

Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) konfirmoi se tre ushtarë amerikanë u plagosën gjatë sulmit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shkroi në rrjetet sociale se sulmuesi u neutralizua nga “forcat partnere”.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi përmes platformës Truth Social, duke shprehur dhimbjen për humbjen e “tre patriotëve të mëdhenj” dhe duke paralajmëruar “hakmarrje shumë serioze”. Duke folur për gazetarët, Trump e cilësoi ngjarjen si “një sulm të tmerrshëm”.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA raportoi se edhe dy pjesëtarë të forcave siriane mbetën të plagosur.

Sipas të njëjtit burim, helikopterë amerikanë evakuuan të plagosurit drejt bazës amerikane në Al-Tanf, pranë kufirit me Irakun.

Ambasadori i SHBA-së në Turqi dhe i dërguari special për Sirinë, Tom Barrack, dënoi sulmin duke deklaruar: “Ne vajtojmë humbjen e tre anëtarëve të guximshëm të shërbimit amerikan dhe personelit civil, dhe u urojmë shërim të shpejtë forcave siriane të plagosura. Ne mbetemi të përkushtuar për të mposhtur terrorizmin së bashku me partnerët tanë sirianë.”

Emrat e viktimave amerikane nuk do të bëhen publikë deri 24 orë pas njoftimit të familjarëve, bëri të ditur ushtria amerikane.