
Kryetari i Partisë Republikane dhe deputeti Fatmir Mediu ka zhvilluar një sërë takimesh në Uashington me kongresmenë dhe zyrtarë të lartë amerikanë, gjatë vizitës së tij zyrtare në SHBA. Diskutimet janë intensifikuar në lidhje me situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, ku në fokus kanë qenë problematikat e zgjedhjeve, krimi i organizuar, korrupsioni qeveritar dhe përdorimi politik i sistemit të drejtësisë.
Sipas Mediut, partnerët amerikanë kanë shfaqur interes dhe shqetësim të shtuar lidhur me këto çështje, sidomos pas seancave të fundit dëgjimore në Kongres për gjendjen në Ballkan. Ai ka ndarë me përfaqësues të rëndësishëm të komiteteve kyçe të Kongresit analizën e tij për rreziqet që këto zhvillime paraqesin për demokracinë dhe stabilitetin e Shqipërisë.
Në reagimin e tij, Mediu bëri të ditur se ka zhvilluar takime me figura të rëndësishme si kryetarin e Komisionit për Europën, kongresmenin Keith Self, si dhe ekspertin Edward Joseph, dëshmitar në seancën e fundit dëgjimore për Ballkanin. Në agjendë kanë qenë edhe takimet me kongresmenin Pete Sessions, kryetar i Komisionit të Mbikëqyrjes së Operacioneve të Qeverisë, kongresmenin Robert Aderholt, kryetar i Grupit për Shqipërinë, kongreswoman Virginia Foxx, kryetare e Komitetit të Rregullave, si dhe kongresmenët Jonathan Jackson dhe Juan Vargas.
Gjatë bisedimeve është trajtuar “situata e rëndë politike në Shqipëri”, përfshirë manipulimin e zgjedhjeve, siç u theksua në raportin e ODHIR, lidhjet mes krimit të organizuar dhe karteleve të drogës me politikën, si dhe korrupsioni në qeveri. Mediu ka ngritur gjithashtu shqetësimin për përdorimin politik të drejtësisë “për të shkatërruar opozitën”.