Vendosni fjalën kyçe....

Ervin Salianji tregon pakënaqësitë ndaj Sali Berishës



Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka shprehur hapur pakënaqësitë e tij ndaj mënyrës së drejtimit të PD nga Sali Berisha. Sipas tij, lidershipi aktual nuk po dëgjon zërin e anëtarësisë dhe nuk po i përgjigjet kërkesës së shoqërisë për ndryshim.

Deklaratat e Salianjit vijnë në një moment kur ai ka nisur takime në terren me strukturat lokale, në kuadër të rifreskimit të PD-së dhe rritjes së angazhimit opozitar. Paralelisht, Berisha i është rikthyer foltoreve, duke zhvilluar deri tani dy takime me anëtarësinë, në degën 9 në Tiranë dhe në Mirditë.

Këto lëvizje paralajmërojnë një valë të re debatesh të brendshme në PD, teksa polemikat mes drejtuesve janë bërë tashmë të dukshme.

Në deklaratën e tij, Salianji u shpreh:

“Pakënaqësia që kam unë ndaj kryetarit të PD është që nuk po dëgjon në mënyrën e duhur zërin e anëtarësisë. E dyta dhe më e rëndësishmja, nuk po i përshtatet nevojave të shoqërisë për ndryshim. Anëtarësia voton disa, lidershipi zgjedh disa të tjerë.”

Ai shtoi se baza e PD kërkon veprim më të fortë dhe analiza reale mbi situatën:

“Anëtarësia e PD kërkon revoltë, ne bëjmë foltore. Anëtarësia kërkon analizë, ne duam të bindim që zgjedhjet janë të vjedhura, këtu të gjithë janë të bindur që zgjedhjet vidhen, por si ta zgjidhim këtë problem.”

Salianji theksoi se, përveç analizës së humbjeve, partia duhet të studiojë edhe fitoret në disa bashki:

“PD ka fituar në 6-7 bashki, pse nuk e bën analizën pse ka fituar? Avantazhi është përfaqësimi, kandidatët e rinj pa konsum dhe pa pasur mëkate, kandidatë që janë shtyrë dhe zgjedhur nga anëtarësia. Të marrim modelin e këtyre zonave dhe ta çojmë në zonat e tjera.”

Debatet e brendshme pritet të thellohen, ndërsa PD po kërkon një formulë të re për të rritur besueshmërinë dhe ndikimin e saj në skenën politike.