Vendosni fjalën kyçe....

“Takimi s’i shërben asnjë interesi personal por PD-së, demokratëve dhe qytetarëve që presin ndryshimin” – Salianji


Ish-deputeti Ervin Salianji tha pas përfundimit të takimit në Durrës me qytetarë e mbështetës të PD-së se takimi nuk i shërben asnjë interesi personal por rizgjimit dhe rienergjizimit të partisë dhe rikthimit të saj në pushtet.

“Unë dua që PD të jetë parti e madhe dhe që njerëzit kanë sakrifikuar shumë. Unë kam bërë burg, shumë të tjerë kanë sakrifikuar financat, energjinë… Sot ishte e gjithë kupola e lartë e PD e zgjedhur me votë. Problemi i demokratëve dhe politika brenda PD-së është që askush nuk takon njerëz; kush takon njerëz, bën mirë.” – tha Salianji.

Në takimin e sotëm merrnin pjesë disa nga figurat më të votuara të PD-së në zgjedhjet e fundit por që nuk u futën në parlament si Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja etj.

Më herët Salianji vlerësoi të gjithë demokratët që kanë sakrifikuar gjithçka ndërsa tha se PD-ja duhet të udhëheqë ndryshimin që të gjithë qytetarët e presin përballë qeverisjës së kalbur të Edi Ramës.

“Rizgjim i PD, sepse ju jeni heronjtë e PD, keni sakrifikuar dhe keni dhënë kontribut duke u përballur me autokraci dhe në këmbim s’keni kërkuar asgjë veç vëmendjes, e dëgjesës, e ndarjes së shqetësimeve që secili i ka për fuqizimin e PD. Demokratët janë duke thirrur, Shqipëria është duke thirrur, thirrjet e tyre s’duhen relativizuar dhe nuk duhen injoruar. Këto thirrje janë dhimbje që rëndojnë dhe duhet të rëndojnë në peshën e përgjegjësi të çdo politikani, e kam ndjerë këtë thirrje dhe përgjegjësia jonë duhet të jetë e qartë, PD duhet të përgatitet të udhëheqë ndryshimin që gjithë po presin ky ndryshim nis edhe nga kjo sallë si takim i parë që i zhvillojmë me demokratët, nga kjo energji që është e pashtershme në PD por që nuk i jepet mundësia”, tha Salianji.