
Pas një greve 9-ditore, Trafiku Urban dhe operatorët privatë të transportit publik në Prishtinë pritet t’i rikthehen punës nga nesër, duke normalizuar qarkullimin për mijëra qytetarë që ditët e fundit janë përballur me mungesë të linjave.
Në njoftimin e saj, ndërmarrja Trafiku Urban theksoi se ndërprerja e shërbimit ka qenë e pashmangshme për shkak të gjendjes së rënduar financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj kompanisë.
“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë që qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftim.
Me rifillimin e punës, pritet që të gjitha linjat urbane dhe ato të operatorëve privatë të funksionojnë sipas orarit të zakonshëm.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, njoftoi sot se është alokuar një pjesë e mjeteve për kryeqytetin, ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi se Drejtoria e Financave do të punojë jashtë orarit për të kryer pagesat e nevojshme.