
Kryeministri Edi Rama reagoi pas akuzave të Sali Berishës se po ushtron presion ndaj Gjykatës Kushtetuese për çështjen e pezullimit të ministres Belinda Balluku.
Ai tha se nuk po bën presion dhe se vendimin e GJKKO-së e ka ankimuar si kryeministër, për mbrojtjen e balancës mes pushteteve.
Rama deklaroi se rasti Balluku nuk lidhet me individin, por me parimet kushtetuese që, sipas tij, po cenohen nga vendimi për pezullimin e një anëtari të qeverisë nga ana e një prokurori dhe gjykate.
“Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flasë për një proces gjyqësor. A e dini kush e ka ankimuar pezullimin e ministres në Kushtetuese? E kam ankimuar unë si kryeministër, jo për individin, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve,” tha Rama.
Ai theksoi se pezullimi i një ministri me vendim gjykate do të krijonte një precedent të rrezikshëm në Evropë.
“Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe gjyqtari ligjësohet, do të krijohej një precedent kërcënues. Këneta nuk gjen dot një rast në Europë ku një anëtar i qeverisë pezullohet me vendim gjykate, sepse nuk ka,” u shpreh kreu i qeverisë.
Rama tha se çdo ndërhyrje e gjyqësorit në ekzekutiv do të shndërrohej në “shkarkim de facto” të ministrit, pasi zëvendësministri nuk mund të ushtrojë autoritetet ekskluzive kushtetuese të ministrit në Këshillin e Ministrave.
Duke iu përgjigjur akuzave të Berishës se gënjen për opinionet e Komisionit të Venecias, Rama u shpreh se kundërshtarët politikë po e kthejnë një konflikt kompetencash në konflikt politik për përfitime të momentit.
“Duhet të jesh i verbuar nga urrejtja për ta kthyer këtë konflikt kompetencash në një konflikt politik. Të pezullosh një ministër nuk është pezullim i një funksionari, por asgjësim i një autoriteti ekzekutiv pa afat,” tha ai.