Vendosni fjalën kyçe....

Shumë kompani shqiptare pa mjek pune, pavarësisht detyrimit ligjor


Në shumë kompani shqiptare, kujdesi për shëndetin e punonjësve mbetet më shumë një detyrim në letër sesa një praktikë reale. Edhe pse ligji kërkon që çdo punëdhënës të ketë mjek pune dhe kushte të përshtatshme për kontrollin shëndetësor, realiteti është ndryshe: qindra biznese vazhdojnë të operojnë pa asnjë strukturë mjekësore. Inspektimet e fundit të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor kanë nxjerrë në pah se në shumicën e rasteve mungon jo vetëm mjeku i punës, por edhe pajisjet bazike për ndihmën e parë.

Gjatë vitit 2024, trupat inspektuese të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor kanë kryer 1,269 inspektime dhe riinspektime në ndërmarrje për të verifikuar nëse punëdhënësit zbatojnë detyrimet për kujdesin shëndetësor të punonjësve.

Nga këto, 1,172 ishin inspektime fillestare dhe 97 riinspektime, që synonin të kontrollonin mbulimin e vendeve të punës me mjek të punës, sigurimin e kontrollit mjekësor në momentin e punësimit dhe gjatë periudhave të mëvonshme, si dhe kushtet higjieno-sanitare në ambientet e punës.

Sipas të dhënave, shumica e shkeljeve lidhen me mungesën e mjekut të ndërmarrjes apo të kontratës me mjekun e punës, si dhe me mungesën e dhomës apo pajisjeve mjekësore të nevojshme. Në shumë raste, punonjësit nuk janë pajisur me dokumentacionin bazë mjekësor dhe kartelat shëndetësore nuk janë plotësuar saktë.

Probleme të tjera të hasura janë mungesa e aktit të miratimit higjieno-sanitar, mungesa e çertifikatës së dezinfektim–dezinsektizim–deratizimit (DDD), si dhe kushte të papërshtatshme të higjienës në ambientet e punës, me lagështirë apo nyje sanitare të dëmtuara.

Në total, gjatë vitit 2024 janë vendosur 8 masa administrative me gjobë, një vendim i ndërmjetëm për marrje mase urgjente dhe 58 paralajmërime. Tirana ka pasur numrin më të lartë të inspektimeve (400) dhe paralajmërimeve (33), ndërsa raste me masa ndëshkuese janë regjistruar edhe në Durrës, Shkodër e Gjirokastër.

Sipas Ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010 “Për shëndetin dhe sigurinë në punë”, çdo punëdhënës është i detyruar të garantojë mbrojtjen shëndetësore të punonjësve përmes mjekut të punës, i cili monitoron gjendjen shëndetësore dhe përshtatshmërinë e tyre me rreziqet e vendit të punës. Ligji kërkon gjithashtu që çdo ndërmarrje të ketë dokumentacion shëndetësor të përditësuar dhe të sigurojë kontrolle mjekësore periodike.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se zbatimi i këtij detyrimi mbetet i fragmentuar, sidomos në bizneset e vogla e të mesme, ku shpesh mungon struktura e brendshme për kujdesin shëndetësor.

Në shumë raste, kompanitë i drejtohen mjekëve privatë vetëm kur ndodh një incident apo aksident në punë, duke e bërë shëndetin në vendin e punës më shumë një reagim pas ndodhive sesa një kujdes i vazhdueshëm parandalues.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor