
Në Bruksel mbahet sot samiti për zgjerimin e Bashkimit Evropian, ku do të marrin pjesë udhëheqësit e vendeve kandidate për anëtarësim në Union. Punimet pritet të zhvillohen nga ora 14:00 deri në 17:00.
Në këtë takim do të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama, si dhe liderë të tjerë të rajonit dhe Evropës Lindore, përfshirë kryeministrin malazez Milojko Spajiç, atë maqedonas Hristijan Mickoski, presidentin serb Aleksandër Vuçiç, presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidenten moldave Maia Sandu.
Nga ana e Bashkimit Evropian, samitin do ta udhëheqë Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Ky samit shihet si një platformë e re bashkëpunimi mes BE-së dhe vendeve kandidate, ku udhëheqësit do të ndajnë qëndrimet e tyre mbi procesin e zgjerimit dhe të ardhmen evropiane të rajonit.
Në fokus do të jenë sfidat që kanë shoqëruar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit, si dhe përpjekjet e Ukrainës dhe Moldavisë për integrim në BE pavarësisht situatës së luftës.