Vendosni fjalën kyçe....

Reshje të dendura në Kukës, probleme me energjinë dhe qarkullimin në disa akse rrugore



Reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë përfshirë qarkun e Kukësit, duke shkaktuar probleme në disa zona të qytetit dhe fshatrave përreth. Sipas autoriteteve, ka pasur ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike në disa lagje dhe njësi administrative.

Situata paraqitet e vështirë edhe në disa akse rrugore nacionale dhe rurale. Në rrugët Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Peshkopi, Bajram Curri–Valbonë dhe Kukës–Qafë Mali është raportuar prezencë gurësh dhe dherash, duke vështirësuar qarkullimin.

Nga ana tjetër, reshjet kanë sjellë prurje të larta në liqenin e Fierzës, me mbi 250 metër kub ujë në sekondë, duke ndikuar pozitivisht në nivelin e tij.

Probleme janë raportuar edhe në tokat bujqësore në zonat e Nangës, Bicajt dhe Shtiqnës, ku disa sipërfaqe janë përmbytur. Edhe në qytetin e Kukësit janë krijuar pellgje me ujë si pasojë e bllokimit të pusetave, ndërsa autoritetet lokale po ndjekin nga afër situatën për të shmangur përkeqësime të mëtejshme.