Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Lartë e SHBA sinjalizon gatishmëri për të dobësuar një pjesë kyçe të Aktit të të Drejtave të Votimit


Gjyqtarët konservatorë të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara shfaqën të mërkurën gatishmëri për të kufizuar një dispozitë të rëndësishme të Aktit të të Drejtave të Votimit të vitit 1965, ligjit historik që synon të parandalojë diskriminimin racor në votim.

Çështja që lidhet me ndarjen elektorale të Luizianës është marrë në shqyrtim për herë të dytë nga Gjykata e Lartë dhe mund të ketë pasoja të mëdha për përfaqësimin e afro-amerikanëve në Kongres.

Një grup votuesish me ngjyrë apeloi një vendim gjyqësor që deklaronte se harta elektorale e rishikuar, që shtonte një distrikt të dytë me shumicë afro-amerikane, ishte ndikuar tepër nga konsiderata racore dhe përbënte shkelje të parimit kushtetues të mbrojtjes së barabartë, sipas Reuters.

Luiziana, ku afro-amerikanët përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë, ka gjashtë distrikte në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA, ndërsa votuesit me ngjyrë zakonisht mbështesin kandidatët demokratë.

Dispozita në qendër të debatit është Neni 2 i Aktit të të Drejtave të Votimit, i cili ndalon ndarjet elektorale që dobësojnë fuqinë politike të votuesve të pakicave, edhe pa prova të qëllimit të drejtpërdrejtë racist.

Ky nen u bë edhe më i rëndësishëm pas vendimit të Gjykatës së Lartë të vitit 2013, të udhëhequr nga kryegjyqtari John Roberts, i cili hoqi një pjesë tjetër të ligjit që kërkonte mbikëqyrje federale për shtetet me histori diskriminimi racor.

Gjatë seancës, gjyqtari Brett Kavanaugh tha se “masat e bazuara në racë duhet të kenë një kufi në kohë dhe të mos jenë të përhershme“, ndërsa përfaqësuesja e Fondit Ligjor të NAACP, Janai Nelson, paralajmëroi se dobësimi i Nenit 2 do të ishte “i pamatur” dhe do të sillte pasoja “katastrofike” për përfaqësimin racor në SHBA.

Nelson argumentoi se harta e parë e miratuar nga legjislatura republikane e Luizianës kishte “zbehur fuqinë votuese të afro-amerikanëve” dhe se krijimi i një distrikti të dytë me shumicë të tillë ishte një masë e nevojshme për të rikthyer barazinë elektorale.

Ndërkohë, prokurori i përgjithshëm i Luizianës, Benjamin Aguinaga, mbrojti qëndrimin se “ndarjet elektorale të bazuara në racë bien ndesh me Kushtetutën”, duke e cilësuar hartën e re si të ndërtuar mbi “stereotipe racore”.

Administrata e presidentit Donald Trump mbështet sfidën ndaj Aktit të të Drejtave të Votimit, duke argumentuar se “Kushtetuta është e verbër ndaj racës”.

Nëse Gjykata e Lartë vendos të kufizojë Nenin 2, republikanët mund të përfitojnë në rreth 19 distrikte të Kongresit, sipas organizatave Fair Fight Action dhe Black Voters Matter Fund.

Vendimi pritet të jepet deri në fund të qershorit 2026.