Vendosni fjalën kyçe....

IMT bllokon pallatin 4 mijë metër katorë pa leje në Yzberisht


Një pallat në ndërtim pa leje në zonën e Yzberishtit në Tiranë është bllokuar nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT), me mbështetjen e Policisë Bashkiake. Në objektin e biznesmenit Sino Llanaj janë konstatuar rreth 4 mijë metra katrorë ndërtim pa leje, ndërsa ka nisur edhe procedura për shembjen e tij.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sula, i pranishëm në terren, deklaroi se “paligjshmëria nuk ka vend në Tiranë” dhe paralajmëroi se subjektet që shkelin ligjin do të përfshihen në “listën e zezë” të Bashkisë.

“Nëse Tirana sot është më e çliruar nga ata të cilët kishin zënë hapësira pa leje është merita e madhe e IMT, e drejtuar nga Rigers Sheqeri, dhe Policisë Bashkiake e drejtuar nga Elona. Ne nuk do të mbarojmë derisa të lirojmë çdo hapësirë pa leje dhe këto hapësira të kthehen në lulishte dhe parqe për fëmijët. Në foto jemi në një pallat në zonën e Astirit ku i është konstatuar mbi 4000m2 pa leje.”, thotë Sulaj.

Ndërkohë, Policia njoftoi se ka ndaluar ndërtuesin 50-vjeçar Sino Llanaj, pasi ka kryer punime pa leje edhe në hapësirën e përbashkët të pallatit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 6 ndaluan shtetasin S. Ll., 50 vjeç, pasi është konstatuar se në objektin e tij (pallat në ndërtim), në Yzberisht, ka kryer punime ndërtimi pa leje, në hapësirën e përbashkët të pallatit.”, njofton policia.