
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur të hënën në Shkodër, ku dy persona u vranë dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.
Përmes një mesazhi në Facebook, Salianji deklaron se kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por rezultat i një qeverie që, sipas tij, përdor çdo mjet për të ruajtur pushtetin, duke ndërtuar një sistem drejtësie që nuk garanton barazi për qytetarët.
“Krimineli i sotëm ishte denoncuar më herët për kërcënim me vrasje nga bashkëshortja, ishte kapur me drogë, maska dhe armë, por u lirua nga gjykatat. Ndërkohë mijëra qytetarë vuajnë burgun për shkelje minimale apo për mungesë mbështetjeje politike,” shkruan ai.
Në reagimin e tij, Salianji thekson se ka përjetuar vetë padrejtësinë e sistemit, duke kujtuar dënimin që mori ndërkohë që “kriminelët e lidhur me pushtetin” lirohen.
Në përfundim, ai bën thirrje për një drejtësi të vërtetë, që të garantojë siguri dhe barazi para ligjit për të gjithë qytetarët.