Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërkoi ndjekjen penale, Balliu: Soros ndërtoi në Shqipëri drejtësi të kapur për kukullën e tij Rama


Sekretari Organizativ në PD Klevis Balliu i ka bërë jehonë thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump për ndjekjen penale dhe akuzimin e Georse Soros dhe të birit me akuzat për shantazh, korrupsion e organizimin e protestave në SHBA.

Balliu shkruan se Shqipëria është shembulli më i qartë i veprimtarisë destruktive, i goditjes së pluralizmit politik nga ana e Soros. Ai shton se Soros goditi pluralizmin përmes ndërtimit të një sistemit drejtësie të kapur duke shënjestruar kreun e opozitës Berisha për të forcuar kukullën e tij politike, kryeministrin Rama.

“Denoncimi i Presidentit Trump ndaj George Soros përfaqëson një të vërtetë madhore: një realitet të prekshëm sot dhe një dëshmi historike për nesër.

Në themel të këtij denoncimi qëndrojnë veprimtaritë destruktive të Sorosit, të cilat kanë gërryer themelet morale dhe shoqërore, duke nxitur veset dhe varësitë, duke dobësuar kohezionin social dhe duke radikalizuar pushtetin e majtë drejt formave autoritare e diktatoriale.

Shqipëria është shembulli më i qartë i këtij fenomeni. Pikërisht këtu, Soros goditi pluralizmin politik duke ndërtuar një sistem drejtësie të kapur, me të cilin shënjestroi liderin historik të opozitës, Sali Berishën, për të forcuar kukullën e tij politike – Edi Ramën.” – shkruan Balliu.

Demokrati thekson se Shqipëria ka sot një drejtësi të projektuar sipas vizionit të Sorosit, të cilin e quan arkitekt i kaosit. Balliu shënon se struktura e drejtësisë nuk garanton barazi e ligjshmëri por është instrument I kapjes së shtetit dhe mbajtjes së pushtetit me çdo kusht.

“Sot, për fat të keq, vendi ynë ka një drejtësi të projektuar sipas vizionit të këtij arkitekti të kaosit: një strukturë që nuk garanton barazi dhe ligjshmëri, por shërben si instrument i kapjes së shtetit dhe mbajtjes së pushtetit me çdo mjet. Por historia ka treguar gjithmonë se e vërteta mund të vonojë, por nuk mungon kurrë. Perandoria e majtë radikale e ngritur nga Soros është në rënie, dhe bashkë me të po shemben njëra pas tjetrës edhe kukullat e tij në mbarë botën – përfshirë këtu edhe kukullën e tij më të privilegjuar në Shqipëri.” – mbyll Balliu.