
Policia Kufitare e Korçës ka goditur një rast kontrabande në Pikën e Kalimit Kufitar Goricë, ku është arrestuar në flagrancë një 61-vjeçar që tentoi të fuste në Shqipëri një sasi nafte të padeklaruar.
Gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar nga shtetasi D. Xh., banues në fshatin Belorta, shërbimet e policisë konstatuan një depozitë rezervë me sasi nafte, për të cilën drejtuesi nuk kishte asnjë dokument apo faturë shoqëruese.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 61-vjeçari u arrestua për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.
Automjeti dhe nafta u sekuestruan, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.