Vendosni fjalën kyçe....

Gratë afgane përjashtohen nga festimet, teksa talibanët festojnë 4-vjetorin e ardhjes në pushtet


Mijëra burra u mblodhën të premten në Kabul për të ndjekur një aktivitet ku nga helikopterët u hodhën lule, me rastin e katërvjetorit të rikthimit të talibanëve në pushtet. Gratë nuk u lejuan të marrin pjesë në festime, përcjell Guardian.

Tre nga gjashtë vendet ku u zhvillua “shiu me lule” janë të ndaluara për gratë që nga nëntori i vitit 2022, kur atyre iu mohua hyrja në parqe dhe hapësira rekreative. Programi i përvjetorit, i cili përfshinte edhe fjalime nga anëtarë të kabinetit, ishte i hapur vetëm për meshkuj. Një shfaqje sportive në natyrë, që pritej të përfshinte sportistë afganë, nuk u zhvillua.

Që prej marrjes së pushtetit më 15 gusht 2021, talibanët kanë imponuar interpretimin e tyre të ligjit islam (sharia), duke vendosur kufizime të rrepta për gratë dhe vajzat – ndalim nga shumica e vendeve të punës, arsimimi përtej klasës së gjashtë dhe hyrja në hapësira publike.

Të premten, grupi United Afghan Women’s Movement for Freedom zhvilloi protesta të mbyllura në provincën Takhar dhe në Islamabad të Pakistanit, duke e cilësuar këtë datë “fillimin e një epoke të zezë që përjashtoi gratë nga puna, arsimi dhe jeta shoqërore”. Protestueset mbanin pankarta ku shkruhej: “Falja e talibanëve është armiqësi ndaj njerëzimit” dhe “15 gushti është një ditë e errët”.

Në një deklaratë, udhëheqësi i talibanëve, Hibatullah Akhundzada, paralajmëroi se “Zoti do të ndëshkojë rëndë” afganët që nuk tregojnë mirënjohje për vendosjen e sharias, të cilën e përshkroi si shpëtim nga “korrupsioni, shtypja, vjedhja dhe droga”.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarrest ndaj Akhundzadës dhe kryegjyqtarit Abdul Hakim Haqqani, duke i akuzuar për krime kundër njerëzimit për shkak të politikave që diskriminojnë gratë dhe vajzat afgane.

Këtë vit, përvjetori ishte më i përmbajtur krahasuar me vitin e kaluar, kur talibanët organizuan paradë ushtarake në një ish-bazë amerikane, duke shkaktuar reagime të ashpra. Afganistani vazhdon të përballet me krizë humanitare të rënduar nga ndryshimet klimatike, dëbimet masive nga Irani dhe Pakistani, si dhe ulja e ndihmave ndërkombëtare.