
Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., njoftoi anulimin e projekteve të zhvillimit të vaksinave që përfshijnë teknologjinë mRNA, duke ndalur kontrata me vlerë rreth 500 milionë dollarë.
Vendimi prek 22 projekte dhe përfshin punën me institucione si Universiteti Emory dhe Tiba Biotech, ndërsa propozime nga kompani të mëdha si Pfizer, Sanofi Pasteur dhe CSL Seqirus do të refuzohen, sipas Politico.
“Nga shqyrtimi i shkencës dhe konsultimi me ekspertët kryesorë në NIH dhe FDA, HHS ka përcaktuar se teknologjia mRNA paraqet më shumë rreziqe sesa përfitime për këto viruse respiratore,” tha Kennedy në një video të publikuar në platformën X.
Kennedy, një kritik i kahershëm i vaksinave me mRNA, ka shprehur skepticizëm të vazhdueshëm për përdorimin e kësaj teknologjie në vaksinat kundër COVID-19 dhe gripit. Megjithatë, vendimi është pritur me shqetësim nga disa ish-zyrtarë të shëndetësisë.
Rick Bright, ish-drejtor i Autoritetit për Zhvillimin e Avancuar të Kërkimeve Biomjekësore (BARDA), e quajti këtë vendim “një hap strategjikisht i gabuar”.
“Tërheqja nga mRNA na privon nga një prej mjeteve më të shpejta për të përballuar pandeminë e ardhshme, qofshin natyrore apo të qëllimshme,” tha Bright.
Departamenti i Shëndetësisë sqaroi se disa kontrata që janë në fazën përfundimtare do të lejohen të vazhdojnë për të ruajtur investimin e deritanishëm të taksapaguesve, ndërsa investimet e ardhshme të BARDA-s do të fokusohen në vaksina të bazuara në viruse të plota dhe platforma të tjera të reja imunizimi.
Ndërkohë, teknologjitë e tjera mRNA brenda agjencive të tjera të HHS nuk do të preken nga ky vendim.