
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-presidentin e Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë, Nikoll Deda, dhe ish-zv.presidenten, Aurela Guri.
Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe veprime në kundërshtim me vendimet e gjykatës.
Sipas hetimeve, Nikoll Deda dyshohet se ka shpërdoruar fondet e institucionit për përfitime personale, ka punësuar familjarë pa kriter dhe ka kryer pagesa fiktive.
Ai akuzohet për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Ndërkohë, Aurela Guri akuzohet se ka ndërmarrë vendime financiare pa kompetenca ligjore, duke miratuar një buxhet të përkohshëm në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Administrative të vitit 2020.
Sipas Prokurorisë, të dy kanë vepruar për të përqendruar pushtetin dhe fondet në duart e tyre, duke dëmtuar institucionin dhe duke shkelur ligjin.