
Aksioni për pastrimin e territorit pas zjarreve që përfshinë zonën disa ditë më parë vijon në Bashkinë e Delvinës, ku dëmet më të mëdha janë raportuar në fshatin Kopaçez, Njësia Administrative Vergo. Në ditën e dytë të ndërhyrjes, punonjës të Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe Drejtorisë së Veterinarisë janë angazhuar në terren për të evidentuar dhe trajtuar pasojat e zjarrit mbi gjënë e gjallë.
Sipas të dhënave paraprake, deri më tani janë identifikuar 16 krerë bagëti të djegura, përkatësisht 9 dhi dhe 7 dele, trupat e të cilave janë gjetur në baçet e fshatit ku ka kaluar flaka. Të gjitha kafshët janë groposur sipas protokolleve veterinare, ndërsa zonat përreth janë dezinfektuar për të shmangur përhapjen e mundshme të ndonjë sëmundjeje.
Autoritetet lokale paralajmërojnë se mund të ketë raste të tjera të ngjashme në zonat malore jashtë fshatit, ku zjarri është përhapur me intensitet të lartë. Në këtë kuadër, është bërë thirrje për bashkëpunim nga ana e banorëve për të raportuar çdo rast të ngjashëm dhe për të shmangur qasjen në zonat e djegura deri në përfundim të procesit të pastrimit dhe dezinfektimit.