Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti grek ngre komision hetimor për abuzimet me fondet e BE-së për bujqësinë


Me 166 vota nga deputetët e partisë në pushtet Demokracia e Re, Parlamenti grek miratoi propozimin e qeverisë për të ngritur një komision hetimor për rastin OPEKEPE.

Komiteti do hetojë agjencinë OPEKEPE, përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve bujqësore të BE-së, në një hetim që përfshin 25 vitet e fundit, shkruan Kathimerini.

Propozimi i qeverisë u kundërshtua nga pjesa më e madhe e opozitës, e cila kërkon një hetim paraprak mbi gjetjet e paraqitura në Parlament nga Zyra e Prokurorit Publik Europian, që implikon dy ish-ministra të Bujqësisë nga partia Demokracia e Re në këtë rast.

Parlamenti do mblidhet përsëri nesër për të debatuar dy propozime, një të paraqitur nga PASOK dhe një tjetër nga SYRIZA, së bashku me të Majtën e Re, duke kërkuar formimin e një komisioni paraprak për të hetuar ish-ministrat e Bujqësisë Makis Voridis dhe Lefteris Avgenakis.

Seanca e sotme u shënua nga tensione të larta midis qeverisë dhe opozitës. Në fjalimin e tij, kryeministri Kyriakos Mitsotakis të martën akuzoi opozitën se po niste një “gjueti shtrigash” kundër qeverisë.

“Greqia në vitin 2025 nuk ka nevojë për skandale; ka nevojë për të vërtetën… Por caktimi i përgjegjësisë është një gjë dhe gjuetia e shtrigave është një tjetër”, tha ai.