
Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i janë drejtuar zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me një kërkesë për informacion lidhur me trajtimin mjekësor dhe masat e sigurisë të zbatuara gjatë shoqërimit të klientit të tyre në një vizitë mjekësore më 17 korrik 2025.
Në dokumentin zyrtar, avokatët kërkojnë transparencë mbi të gjithë procedurën e ndjekur për këtë shoqërim, përfshirë forcat e angazhuara, kohëzgjatjen e qëndrimit në institucionin shëndetësor dhe planin e masave të sigurisë.
Veliaj ndodhet në paraburgim në IEVP Durrës që prej 12 shkurtit 2025 dhe, sipas mbrojtjes së tij, kishte kërkuar disa herë trajtim shëndetësor, por vizita ishte refuzuar. Sipas avokatëve, lejimi i vizitës më 17 korrik u bë në shkelje të protokollit mjekësor.
Ata kërkojnë dokumentacionin përkatës dhe një sqarim të plotë mbi trajtimin dhe kushtet në të cilat u realizua vizita e Veliajt jashtë qelisë së paraburgimit.