Vendosni fjalën kyçe....

Aksident i rëndë në aksin Lezhë–Shkodër, një i vdekur dhe katër të plagosur


Një aksident tragjik ka ndodhur këtë pasdite në aksin nacional Lezhë–Shkodër, pranë fshatit Fishtë, ku një automjet është përplasur me një trailer me targa serbe dhe më pas ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një kanal.

Si pasojë e përplasjes, një person ka humbur jetën, ndërsa katër të tjerë janë plagosur rëndë. Sipas informacioneve paraprake, viktima dhe të plagosurit ndodheshin në automjetin që u përplas me trailerin.

Të lënduarit janë nxjerrë nga banorë të zonës dhe kalimtarë të rastësishëm, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë pas aksidentit për t’u dhënë ndihmën e parë. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe zjarrfikëses, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e aksidentit dhe përgjegjësinë e palëve të përfshira. Gjendja shëndetësore e të plagosurve mbetet e rëndë dhe ata janë transportuar me urgjencë drejt spitalit.