
Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka zhvilluar vizitë në Theth, pas shembjes së një lokali në pronësi të një të riu të kthyer nga emigracioni.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehaj e ka cilësuar aktin si një padrejtësi të rëndë dhe simbol të standardeve të dyfishta që, sipas tij, aplikon qeveria ndaj qytetarëve të zakonshëm dhe njerëzve të pushtetshëm.
“Në Theth, Klodianit, një djalë i ri i kthyer nga emigracioni, që kishte një lokal të vogël mbi tokën e prindërve, ia shembën pa mëshirë. E shpallën armik të natyrës, të ligjit, të shtetit,” shkruan Shehaj.
Njëherazi, ai solli në vëmendje projektin shumëmilionësh në Parkun Kombëtar të Butrintit, për të cilin fajëson ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe kryeministrin Edi Rama.
Sipas tij, ndërtimet në këtë zonë kanë shkatërruar një nga peizazhet më të rralla në vend, pa u marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj përgjegjësve.
“Kur është një qytetar i thjeshtë që guxon të ndërtojë një jetë më të mirë, quhet shkatërrimtar. Kur është një ministër që betonon pasurinë tonë kombëtare, quhet ‘zhvillim’,” shkruan më tej Shehaj.
Ai e mbyll reagimin e tij duke akuzuar qeverinë për mos dhënien e mundësisë që njerzit e thjeshtë të jetojnë në vendin e tyre: “Ky është standardi i Shqipërisë sot: nuk ka vend për njerëzit e ndershëm që duan të ja dalin me punë, por vetëm për klientët e pushtetit.”