
Dhoma e Ulët e Kongresit në Brazil ka miratuar një ligj që dobëson ndjeshëm kuadrin ligjor mjedisor të vendit, duke shkaktuar reagime të forta nga organizatat mjedisore, të cilat e konsiderojnë si goditjen më të madhe në katër dekadat e fundit ndaj mbrojtjes së natyrës, përcjell Guardian.
I quajtur nga kundërshtarët “ligji i shkatërrimit”, projektligji kaloi me 267 vota pro dhe 116 kundër, pavarësisht kundërshtimeve nga mbi 350 organizata dhe lëvizje sociale. Ligji i miratuar më herët edhe në Senat i është dërguar tashmë presidentit Luiz Inácio Lula da Silva, i cili ka 15 ditë pune për ta miratuar ose vënë veton.
Megjithatë, edhe nëse presidenti Lula e refuzon ligjin, ekziston rreziku i rrëzimit të vetos nga një Kongres kryesisht konservator, çka mund të çojë çështjen drejt një beteje në Gjykatën e Lartë, pasi ekspertët ligjorë e cilësojnë ligjin si antikushtetues.
“Miratimi i këtij ligji është një tragjedi,” deklaroi Suely Araújo nga Observatori i Klimës, duke paralajmëruar se ai do të çojë në shpyllëzime masive dhe rritje të rreziqeve nga katastrofat klimaterike të shkaktuara nga njeriu.
Ndër ndryshimet më të diskutueshme është lejimi i projekteve me ndikim “mesatar” ndotës për të marrë leje mjedisore përmes një formulari online vetëdeklarues, pa nevojë për studime ndikimi apo shqyrtim nga autoritetet. Më parë, kjo procedurë ishte e kufizuar vetëm për aktivitete me rrezik të ulët. Kjo, sipas Araújo, do të prekë rreth 90% të procedurave të licencimit, përfshirë sektorin e minierave dhe bujqësinë intensive.
Një tjetër element shqetësues është përjashtimi i organizmave mbrojtës të të drejtave të komuniteteve indigjene dhe quilombola nga procesi i licencimit, përveç rasteve kur projektet prekin territore tashmë të njohura zyrtarisht – duke përjashtuar kështu mbi 30% të tokave indigjene dhe mbi 80% të tokave quilombola që janë ende në pritje të titujve zyrtarë.
Dinamam Tuxá nga rrjeti i Popujve Indigjenë të Brazilit e cilësoi këtë si “ligjërimin e një procesi zhdukjeje për popujt indigjenë” dhe i bëri thirrje presidentit Lula të vendosë veton, ndonëse e pranoi se Kongresi mund ta rrëzojë atë.
Ligji ka shkaktuar gjithashtu kritika ndaj qeverisë Lula për mosangazhim të mjaftueshëm për të ndalur përparimin e tij. Ministrja e Mjedisit, Marina Silva, ishte zëri i vetëm i fortë kundër ligjit në kabinet, duke e përshkruar si “varrimin e licencimit mjedisor”.
Ligji pritet të dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të Brazilit vetëm pak muaj përpara se vendi të presë samitin global të klimës COP30 në Amazonë, në nëntor. “Kjo është një kthim pas serioz për Brazilin dhe për mënyrën si ai perceptohet në skenën ndërkombëtare si lider mjedisor,” tha Araújo.