
Zjarri i rënë në fshatin Drenovë të Mallakastrës vijon të përhapet me shpejtësi, duke marrë përmasa të rrezikshme. Flakët janë afruar ndjeshëm pranë një pusi nafte, një magazine dhe një nënstacioni elektrik, duke rritur shqetësimet për një përkeqësim të situatës.
Në kushte të vështira, mes errësirës dhe temperaturave të larta, shërbimet zjarrfikëse të zonës janë në gatishmëri të plotë për të përballuar flakët që po avancojnë drejt infrastrukturës kritike.
Operacioni për shuarjen e zjarrit po zhvillohet aktualisht me mjete rrethanore dhe forca në këmbë, ndërsa priten përforcime nga kompania Albpetrol për të menaxhuar situatën, e cila është cilësuar si kritike nga autoritetet vendore.
Rreziku për përhapjen e zjarrit drejt pikave me rrezikshmëri të lartë, si pusi i naftës dhe nënstacioni elektrik, e bën ndërhyrjen sa më urgjente dhe të koordinuar. Autoritetet u bëjnë apel institucioneve përgjegjëse që të angazhohen me të gjithë kapacitetin për shmangien e një katastrofe të mundshme.