
Suedia ka bërë hapa drejt ndryshimeve të mëdha në sistemin e saj të drejtësisë penale, përfshirë një marrëveshje me Estoninë për të marrë me qira deri në 600 vende burgimi, si pjesë e përpjekjeve për të përballuar mbipopullimin në burgje. Vendimi është pjesë e një strategjie më të gjerë të qeverisë për të forcuar qasjen ndaj kriminalitetit, në një kohë kur vendi po përballet me rritje të dhunës së bandave, përcjell Guardian.
Marrëveshja, e firmosur në qershor, pritet të hyjë në fuqi në verën e vitit 2026 dhe është në pritje të miratimit nga parlamentet e Suedisë dhe Estonisë. Sipas të dhënave të Shërbimit Suedez të Burgjeve, popullsia e burgjeve mund të rritet nga 7,800 në vitin 2024 në deri në 41,000 në vitin 2034, në varësi të zhvillimeve ligjore dhe politike.
Ministri i Drejtësisë, Gunnar Strömmer, e ka përshkruar marrëveshjen me Estoninë si një “hap të rëndësishëm” për të zbutur presionin mbi sistemin penitenciar dhe për të garantuar funksionimin e tij të qëndrueshëm. Ai tha se përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes do të përfshijnë sigurinë, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe respektimin e standardeve ligjore.
Qeveria ka propozuar gjithashtu uljen e moshës së përgjegjësisë penale nga 15 në 14 vjeç për disa vepra të rënda, me mbështetjen e partisë kryesore opozitare, Socialdemokratëve. Demokratët e Suedisë kanë kërkuar që mosha të ulet në 13 vjeç. Po planifikohet edhe krijimi i burgjeve për të mitur, që do të zëvendësojnë institucionet aktuale të kujdesit të sigurt për të rinjtë.
Ndërkohë, ekspertë të çështjeve penale dhe studiues kanë shprehur shqetësime për drejtimin që po merr politika penale në vend. Sipas disa vëzhguesve, ky është një largim nga modeli tradicional suedez, që për dekada është fokusuar te rehabilitimi dhe riintegrimi, drejt një qasjeje më ndëshkuese.
Megjithatë, Ministria e Drejtësisë thekson se reformat nuk nënkuptojnë braktisjen e parimeve të rehabilitimit, duke vënë në dukje edhe iniciativat për parandalimin e krimit dhe mbështetjen sociale.
Përballë sfidave të reja në fushën e sigurisë, Suedia po rishikon qasjen e saj ndaj drejtësisë penale, duke balancuar mes nevojës për siguri publike dhe ruajtjes së standardeve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.