Vendosni fjalën kyçe....

Fier/ 4 farmacistë në pranga për kontrabandë ilaçesh


Katër administratorë farmacie janë arrestuar në Fier si pjesë e një operacioni policor kundër kontrabandës së barnave. Në kuadër të operacionit të koduar “Medicine”, të zhvilluar pas disa muajsh hetimesh proaktive, janë ndaluar në flagrancë, Shezai Yzeiri, 65 vjeç, Anxhela Xhemali, 59 vjeçe, Pleçe Byzyka, 36 vjeçe dhe Tereza Plaka, 35 vjeçe (kjo e fundit do të hetohet në gjendje të lirë).

Gjithashtu, ndaj një shtetaseje tjetër, T. A., 53 vjeçe, është nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Sipas Policisë së Shtetit, gjatë kontrolleve të kryera në farmacitë dhe banesat e personave të përfshirë, u gjetën dhe sekuestruan sasi të konsiderueshme ilaçesh të kontrabanduara, pa pullën fiskale të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, me një vlerë totale rreth 800 000 lekë.

Njoftimi i policisë

Si rezultat i hetimeve proaktive, të ndjekura për disa muaj, në kuadër të operacionit “Medicine”, me objektiv goditjen e kontrabandës së mallrave, u arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. Y., 65 vjeç, A. Xh., 59 vjeçe, P. B., 36 vjeçe dhe T. P., 35 vjeçe. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen T. A., 53 vjeçe.

Nga kontrollet e kryera në farmacitë që administronin këta shtetas, si dhe në banesat e tyre, u gjetën ilaçe pa pullën fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, me vlerë rreth 800 000 lekë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.