Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu thotë se Izraeli ka vrarë udhëheqësin ushtarak të Hamasit në Gaza, Mohammed Sinwar


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi të mërkurën në një fjalim në Parlamentin izraelit (Knesset) se forcat izraelite kanë vrarë udhëheqësin e lartë ushtarak të Hamasit, Mohammed Sinwar, në një sulm ajror të kryer më herët këtë muaj në Khan Younis.

Mohammed Sinwar, vëllai i vogël i liderit të mëparshëm të Hamasit, Yahya Sinwar, u vra gjatë një goditjeje ajrore të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), së bashku me disa zyrtarë të tjerë të rangut të lartë të organizatës.

Sipas The Washington Post, sulmi më 13 maj kishte në shënjestër një tunel nëntokësor ku ishin mbledhur krerët e Hamasit, duke thyer protokollet standarde të sigurisë së grupit, përcjell Ynetnews.

Mediat arabe raportuan se trupi i Sinwarit u gjet pesë ditë më vonë në rrënojat e kompleksit të tunelit në Khan Younis. Bashkë me të u gjetën edhe mbetjet e 10 ndihmësve të tij të ngushtë.

I njohur për profilin e tij të ulët dhe i quajtur me nofkën “Hija”, Mohammed Sinwar kishte një rol kyç në operacionet ushtarake të Hamasit.

Ai kishte marrë de facto udhëheqjen e organizatës në Gaza pas vrasjes së vëllait të tij Yahya Sinwar, në tetor të vitit 2024, gjatë një përplasjeje me forcat izraelite.

Vdekja e tij pritet të lërë një boshllëk të madh në strukturën e komandës ushtarake të Hamasit.