
Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë goditi mëngjesin e sotëm zonën pranë Neapolis, në prefekturën e Lasithit, duke shkaktuar shqetësim të madh mes banorëve të Kretës dhe rajonit më të gjerë, përfshirë Athinën, raporton Protothema.
Lëkundjet e forta i zgjuan banorët, të cilët dolën jashtë banesave për siguri. Dëshmitarët raportuan një gjëmim të fuqishëm, ndërsa pamjet filmike tregojnë dridhje të kabllove elektrike dhe makinave. Në disa supermarkete u shkaktuan dëme të vogla materiale nga produktet që ranë nga raftet.


Pasgoditjet kanë vijuar, ndërsa shërbimet zjarrfikëse janë në terren për të vlerësuar situatën. Janë raportuar rrëshqitje dheu në disa rrugë dhe shembje të pjesshme të një ndërtese në rrugën “25 Gushti” në Heraklion, pa të lënduar.
Bashkitë e Heraklionit dhe Lasithit kanë nisur kontrolle në institucionet arsimore, por deri tani nuk raportohen dëme serioze. Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për qetësi dhe ndjekje të udhëzimeve zyrtare.