Imunologu Jacob Glanville hasi në raportet e mediave në vitin 2017 të një njeriu që i kishte injektuar vetes qindra herë helmin e disa prej gjarpërinjve më vdekjeprurës në botë, përfshirë kobrat, mambat dhe gjarpërinjtë me zile duke e lejuar veten të kafshohej prej zvarranikëve.
Diamanti që kërkonte Glanville ishte Tim Friede, një ekspert i vetëmësuar i gjarpërinjve nga Kalifornia, i cili e ekspozoi veten ndaj helmit të gjarpërinjve për gati 18 vjet, duke fituar efektivisht imunitet ndaj disa neurotoksinave, shkruan CNN.
“Ne patëm këtë bisedë. Dhe unë thashë, e di që është e sikletshme, por jam vërtet i interesuar të shikoj pak nga gjaku juaj. Më në fund ai tha: E kam pritur këtë telefonatë.” – kujton Glanville.
Dyshja ranë dakord të punonin së bashku dhe Friede dhuroi një mostër gjaku prej 40 mililitrash për Glanville dhe kolegët e tij. Tetë vjet më vonë, Glanville dhe Peter Këong, Richard J. Stock Profesor i shkencave mjekësore në Kolegjin e Mjekëve Vagelos të Universitetit të Kolumbias në SHBA, kanë publikuar hollësi të një antihelmi që mund të mbrojë kundër kafshimit nga 19 lloje gjarpërinjsh helmues – të paktën te minjtë – bazuar në antitrupat në gjakun e Friede.
Friede hoqi dorë nga imunizimi me helmin e gjarpërinjve në vitin 2018 pas disa telefonatave dhe tani është i punësuar nga kompania bioteknologjike e Glanville Centivax, tha Glanville. Glanville është shef dhe president i Centivax.

