Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja e Jashtme gjermane bën thirrje për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut


Ministrja e Jashtme gjermane Baerbock ka bërë thirrje për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Deklarata e saj erdhi pas takimit me ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së.

Sipas diplomates gjermane jo vetëm Ballkani Perëndimor po edhe vende si Ukraina e shohin të ardhmen në BE dhe nuk duhen shkurajuar.

“Vende si Ukraina, si edhe shtetet e tjera, prej kohësh e shohin të ardhmen e tyre në BE. Jo vetëm se nuk duhet t’i dëshpërojmë këto vende, por edhe duhet ta mbajmë premtimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo vlen edhe për disa vende të Ballkanit Perëndimor, para së gjithash për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe pikërisht tani në gjysmën e parë të vitit duhet që përfundimisht t’i fillojmë negociatat me Tiranën dhe Shkupin.” – tha Baerbock pas takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg.

Po kështu ajo bëri me dije se pas një bisede me ministren e Jashtme të Bullgarisë është rënë dakord për rëndësinë e çeljes së negociatave me dy vendet në dritën e ngjarjeve në Ukrainë. Barbock i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë sanksionet ndaj Rusisë nëse synon të anëtaresohet në BE.