PDIU dhe Shoqata “Çamëria” kanë nisur protestën e paralajmëruar para Ministrisë së Jashtme me rastin e vizitës në Tiranë të kryediplomatit të Greqisë, Nikos Dendias.
Mirëpo policia duket se e ka ndaluar këtë protestë.
Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi e konfirmoi këtë duke folur për mediat nga protesta.
”Jam i detyruar që të bëj një prononcim të shkurtër. Është një shtetrrethim i vërtetë nga Policia shqiptare. Kishim bërë kërkesë për protestë paqësore me rastin e vizitën së ministrit të jashtëm grek. Për t’i kujtuar çështjen çame, kërkimin e faljes, pronat, sigurisht edhe për kufijtë detarë. Shqipëria boll ka humbur tokë e det.
Fatkeqësisht leja dhe njoftimi jonë është refuzuar me justifikimin e COVID-19. Ne do e bënim me distancim social, pankarta dhe foni.
Fatkeqësisht ësshë i turpshëm reagimi dhe arsyeja. Shohim përditë asambletë e Ramës, mbledhje partie e konferenca dhe s’ka problem. Nuk e zgjodhëm ne që në kohë COVID-i të bëjmë protestë, por në kohë COVID-i Greqia flet me duart e forta, kërkon 12 milje nga deti ynë.
Më vjen keq që jemi duke u vendosur para vëllezërve tanë të Policisë, jam i bindur që mendojnë si ne. Ne nuk kemi dalë të fshihemi.”– tha Idrizi.
Protestuesit brohorasin “Mos prek Shqipërinë!”, “Mos harro Çamërinë!”.