
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me situatën e krijuar në platformnën e-Albania, duke e cilësuar qeverinë si një “Fshat Potemkin” me fasadë moderne, por me përmbajtje të korruptuar dhe larg standardeve europiane.
Sipas Tabakut, rënia e sistemit ka paralizuar për diteë me radhë biiznesin dhe shërbimet publike, duke bllokuar pagesat dhe aktivitetin ekonomik, ndërsa drejtuesit përgjegjës janë zhdukur nga skena publike.
Ajo theskson se kjo nuk është një krizë teknike e rastësishme, por pasojë e mënyrës se si është ndërtuar shteti digjital, pa standarde sigurie dhe me përqendrim pushteiti në duart e pak individëve. Tabaku shton se janë shpenzuar mbi 400 milionë euro në katër vitet e fundit për një sistem që sot ka dështuar.
Postimi:
Shqipëria si “Fshat Potemkin” ka qenë dhe mbetet përshkrimi më i saktë i kësaj qeverie. Një marketing i shkëlqyer dhe një ambalazh modern, që fsheh një shtet të korruptuar, të padrejtë dhe larg çdo standardi europian. Çarjet e kësaj fasade i shohim sa herë që del në dritë një dosje e madhe korrupsioni. Por në rastin e AKSHI-t, të akuzuar nga SPAK si grup i strukturuar kriminal, këto çarje u shndërruan në një blackout real, me pasoja të drejtpërdrejta mbi jetën e qytetarëve dhe aktivitetin ekonomik.
Për ditë me radhë, sistemi e-Albania ra në kolaps: biznesi ngriu, pagesat e të vetëpunësuarve u bllokuan dhe sipërmarrësit e vegjël mbetën peng të një faqeje të vdekur të e-Albania-s që nuk hapet kurrë. Ndërkohë që vendi paralizohej, drejtuesit përgjegjës u zhdukën nga skena publike.
Kjo nuk është një krizë teknike e rastësishme, por është pasqyra e saktë e mënyrës se si është ndërtuar shteti digjital në Shqipëri, madje edhe vetë qeveria.
Ekspertët flasin për një sistem të ngritur “shkel e shko”, të fragmentuar, pa standarde sigurie dhe pa testime reale, i projektuar jo për t’u shërbyer qytetarëve, por për të justifikuar mbi 400 milionë euro të shpenzuara vetëm në katër vitet e fundit, që i shkonin një njeriu.
E-Albania nuk është një platformë shërbimesh moderne, por një rrjet varësish ku mjafton të bjerë një hallkë që të paralizohet gjithçka: nga tatimet te regjistrat e biznesit. Kur hallka Agasi ra, pasi SPAK e ka në kërkim, atëherë edhe fasada u rrëzua.
Të gjithëve na kujtohet mania e Kryeministrit për të shpikur “ADiellën”, vetëm për të zënë faqet e para të mediave. Sot është më e qartë se kurrë: inteligjenca artificiale në duart e një qeverie të kapur nga korrupsioni nuk është risi, por është armë. Një mjet për intimidim, kontroll dhe propagandë, jo për shërbim publik.
Tragjedia thellohet kur kupton se përqendrimi i pushtetit në duart e individëve pa mandat politik ishte aq ekstrem, sa ata kontrollonin jo vetëm tenderat, por edhe mirëmbajtjen e vetë “frymëmarrjes” digjitale të shtetit. Miliona euro janë mbuluar me mirëmbajtje qesharake, ndërsa kodi dhe konfigurimet kritike mbetën në duart e kontraktorëve që sot operojnë në klimë frike dhe pasigurie ligjore.
Praktikisht, shteti u kthye në pronë private, ndërsa administrata e fryrë që paguhet nga taksat e qytetarëve u fsheh në momentin e krizës.
Sot qytetarët dhe bizneset e paguajnë këtë faturë trefish: një herë me taksat për tenderat miliona eurosh, një herë me taksat për administratën fiktive dhe së fundmi me humbjen ekonomike të shkaktuar nga ky Error 404 i shtetit.
Por jo çdo e keqe vjen për keq. Nëse dikush kishte ende pikëpyetje për punën e SPAK apo akuzat e opozitës për AKSHI-n, le të shohë sot sistemin e-Albania. Se si i gjithë shteti ka përfunduar i shantazhuar nga bandat dhe nga njerëzit afër Zv. Kryeministrit në hije, që sot, duke pasur nën kontroll gjithë infrastrukturën digjitale, po gjunjëzojnë një qeveri. Pikërisht kjo është arsyeja e kësaj shfaqjeje të turpshme që po shohim përditë, shqiptarët dhe bizneset. Ky sistem i degraduar dhe i pandershëm me shqiptarët po shkatërron çdo grimë të fasadës së një qeverie të fortë me të dobëtit dhe të dobët me të fortët.