
Shtetet e Bashkuara janë gati të nisin një fazë të re të operacioneve që lidhen me Venezuelën në ditët në vijim, thanë katër zyrtarë amerikanë për Reuters, ndërsa administrata Trump përshkallëzon presionin ndaj qeverisë së presidentit Nicolas Maduro.
Reuters nuk ishte në gjendje të përcaktonte kohën apo shtrirjen e saktë të operacioneve të reja, as nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte marrë një vendim përfundimtar për të vepruar. Raportet për një veprim të afërt janë shtuar javët e fundit pasi ushtria amerikane ka dislokuar forca në Karaibe mes përkeqësimit të marrëdhënieve me Venezuelën.
Dy nga zyrtarët amerikanë thanë se operacionet e fshehta ka të ngjarë të jenë pjesa e parë e veprimit të ri kundër Maduros. Të katër zyrtarët e cituar në këtë artikull folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së veprimit të afërt nga Shtetet e Bashkuara.
Pentagoni i referoi pyetjet Shtëpisë së Bardhë. CIA nuk pranoi të komentonte.
Një zyrtar i lartë i administratës të shtunën nuk përjashtoi asgjë në lidhje me Venezuelën.
“Presidenti Trump është i përgatitur të përdorë çdo element të fuqisë amerikane për të ndaluar fluksin e drogës në vendin tonë dhe për t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë,” tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.
Administrata Trump ka peshuar mundësitë që lidhen me Venezuelën për të luftuar atë që e ka portretizuar si rolin e Maduros në furnizimin e SHBA-së me droga të paligjshme që kanë vrarë amerikanë. Ai ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me tregtinë e paligjshme të drogës.
Dy zyrtarë amerikanë i thanë Reuters se mundësitë në shqyrtim përfshinin përpjekjen për të përmbysur Maduron.
Maduro, në pushtet që nga viti 2013, ka pohuar se Trump kërkon ta rrëzojë atë dhe se qytetarët dhe ushtria venezueliane do t’i rezistojnë çdo përpjekjeje të tillë.
Presidenti venezuelian, i cili do festojë ditëlindjen e tij të 63-të të dielën, u shfaq të shtunën mbrëma në teatrin kryesor të Karakasit për premierën e një seriali televiziv të bazuar në jetën e tij.
Një grumbullim ushtarak në Karaibe është duke u zhvilluar prej muajsh, dhe Trump ka autorizuar operacione të fshehta të CIA-s në Venezuelë. Administrata Federale e Aviacionit e SHBA (FAA) të premten paralajmëroi linjat ajrore kryesore për një “gjendje mundësisht të rrezikshme” gjatë fluturimit mbi Venezuelë dhe i nxiti ato të ushtronin kujdes.
Tri linja ajrore ndërkombëtare anuluan fluturimet që niseshin nga Venezuela të shtunën pas paralajmërimit të FAA-së.
Etiketimi i rrjetit kriminal dhe implikimet ushtarake
Shtetet e Bashkuara planifikojnë të hënën të etiketojnë Kartelin de los Soles si një organizatë terroriste të huaj (FTO) për rolin e saj të supozuar në importimin e drogave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, thanë zyrtarët. Administrata Trump ka akuzuar Maduron për udhëheqjen e Kartelit de los Soles, gjë të cilën ai e mohon.
Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha javën e kaluar se etiketimi si terrorist “sjell një sërë mundësisht të reja për Shtetet e Bashkuara”.
Trump ka thënë se ky etiketim i ardhshëm do lejonte Shtetet e Bashkuara të godasin asetet dhe infrastrukturën e Maduros në Venezuelë, por ai gjithashtu ka treguar gatishmëri për të ndjekur potencialisht bisedimet me shpresën e një zgjidhjeje diplomatike.
Dy zyrtarë amerikanë pranuan bisedimet midis Karakasit dhe Uashingtonit. Nuk ishte e qartë nëse ato bisedime mund të ndikonin në kohën ose shkallën e operacioneve të SHBA-së.
Aeroplanmbajtësja më e madhe e Marinës Amerikane, Gerald R. Ford, arriti në Karaibe më 16 nëntor me grupin e saj sulmues, duke iu bashkuar të paktën shtatë anijeve të tjera luftarake, një nëndetëseje bërthamore dhe avionëve F-35.
Forcat e SHBA-së në rajon deri tani janë përqendruar në operacionet kundër narkotikëve, megjithëse fuqia e zjarrit e mbledhur tejkalon shumë gjithçka që nevojitet për to. Trupat e SHBA-së kanë kryer të paktën 21 sulme ndaj anijeve të dyshuara të drogës në Karaibe dhe Paqësor që nga shtatori, duke vrarë të paktën 83 persona.
Grupet e të drejtave të njeriut i kanë dënuar sulmet si vrasje të paligjshme jashtëgjyqësore të civilëve, dhe disa aleatë të SHBA-së kanë shprehur shqetësime në rritje se Uashingtoni mund të jetë duke shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Uashingtoni në gusht dyfishoi shpërblimin për informacionin që çon në arrestimin e Maduros në 50 milionë dollarë.
Strategjia e Venezuelës
Ushtria e SHBA-së e lë në hije ushtrinë e Venezuelës, e cila është e dobësuar nga mungesa e stërvitjes, pagat e ulëta dhe pajisjet e dëmtuara. Disa komandantë njësish janë detyruar të negociojnë me prodhuesit lokalë të ushqimit për të ushqyer trupat e tyre, pasi furnizimet qeveritare janë të pamjaftueshme, ka raportuar Reuters.
Ky realitet e ka çuar qeverinë e Maduros të shqyrtojë strategji alternative në rast të një pushtimi të SHBA-së, duke përfshirë mundësisht një përgjigje të stilit gueril, të cilën qeveria e ka quajtur “rezistencë e zgjatur” dhe e ka përmendur në transmetimet në televizionin shtetëror.
Kjo qasje do përfshinte njësi të vogla ushtarake në më shumë se 280 vende që kryejnë akte sabotazhi dhe taktika të tjera guerile, ka raportuar Reuters, duke cituar burime dhe dokumente planifikimi disa vjeçare.