
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka publikuar në rrjetet sociale faturat e gjobave që Tatimet dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) i kanë vendosur një biznesi të vogël në lagjen nr.5 të Tiranës, ku gjatë një inspektimi janë konstatuar 15 kilogramë gjizë pa faturë tatimore.
Sipas Braçes, biznesi është ndëshkuar me afro 10 milionë lekë të vjetra — 825 mijë lekë nga Tatimet dhe 150 mijë lekë nga AKU — për një sasi prej 15.82 kilogramësh gjizë me vlerë 229 lekë për kilogram. Ai e cilësoi këtë si një shembull tipik të abuzimit të institucioneve me bizneset e vogla, duke theksuar se inspektorët shpesh “dalin jashtë sistemit elektronik të inspektimit, fikin kamerat e GPS-it dhe e kanë kthyer këtë në metodë pune për t’u sjellë keq me të dobëtin.”
Në reagimin e tij publik, Braçe shkroi:
“MBAJE DOREN OR TRIM, MBAJE!
825.000 LEKË GJOBË TATIMET + 150.000 LEKË GJOBË AKU
PËR 15.82 KILOGRAMË GJIZË ME VLERE 229 LEKË!
Jo tek restoranti i luksit, por në një lagje të varfër në Njësinë 5!
Këtu bëhet plani i ‘formalizimit’ dhe hapësira e korrupsionit!”
Deklarata e deputetit socialist ka hapur debat mbi mënyrën se si funksionon sistemi i mbikëqyrjes fiskale në Shqipëri. Braçe akuzon administratën tatimore për manipulime gjatë kontrolleve në terren, duke pretenduar se inspektorët “fiknin kamerat dhe GPS-in” për të shmangur çdo gjurmë monitorimi dhe për të kryer abuzime.
Ky denoncim, i bërë nga një deputet i mazhorancës, vë në pikëpyetje integritetin institucional dhe transparencën e administratës fiskale. Gjobat arbitrare, selektiviteti në kontrolle dhe presioni ndaj bizneseve të vogla tregojnë se sistemi ende funksionon me frikë dhe jo me besim.
Braçe i ka bërë thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit të hetojë Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës dhe të ashtuquajturën “Drejtoria e VIP-ave”, duke kërkuar rikthimin e llogaridhënies dhe ndëshkimin e abuzuesve.
Sipas tij, “aty ku inspektorët fikin kamerat, duhet të ndizet alarmi i shtetit”, sepse tatimet nuk duhet të përdoren për ndëshkim, por për ndërtimin e një sistemi të drejtë dhe transparent.