Vendosni fjalën kyçe....

Mbante armë pa leje, policia arreston 19-vjeçarin në Kurbin


Në një operacion të koordinuar për parandalimin e veprimtarive kriminale, policia në Kurbin ka arrestuar një 19-vjeçar që mbante në banesën e tij një armë zjarri automatik, municion luftarak dhe 3 granata.

Operacioni, i koduar “Arka”, u finalizua pas marrjes së informacionit për armët e fshehura.

Njoftimi:

Kurbin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Arka”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohen 1 armë zjarri automatik, municion luftarak dhe 3 granata.

Vihet në pranga 19-vjeçari që i mbante të fshehura në banesën e tij, në Laç.

Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, Komisariati i Policisë Kurbin ka siguruar informacion se një shtetas mbante armë zjarri, pa leje, në banesën e tij, në Laç. Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të këtij informacioni është finalizuar operacioni i koduar “Arka”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

Z., 19 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri automatik, sasi municioni luftarak dhe 3 granata, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.