
Revolta qytetare kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 39-të. Edhe këtë pasdite, qytetarët pritet të mblidhen sërish përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar protestën që prej më shumë se një muaji kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e kursit politik të vendit.
Lëvizja, e cila nisi si reagim ndaj projektit në Zvërnec, është shndërruar në një protestë më të gjerë me kërkesa politike, ku pjesëmarrësit kërkojnë largimin e kreut të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore dhe reforma në sistemin politik.
Edhe sot pritet të dëgjohen thirrjet që kanë shoqëruar protestat gjatë javëve të fundit, si: “Rama jep dorëheqjen”, “Rama ik”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi”, “Revolucion”, “Shqipëri e re” dhe “Atdheu është i yni”. Organizatorët kanë ritheksuar se protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore.
Gjatë tubimit të një dite më parë, protestuesit përsëritën kërkesat që i cilësojnë të panegociueshme: dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, ngritjen e një qeverie teknike tranzitore, reformimin e sistemit politik dhe shfuqizimin e ligjeve që, sipas tyre, favorizojnë interesa klienteliste.
Në podium u hodhën gjithashtu akuza për përdorimin e fondeve publike në funksion të organizimit të koncertit të Kanye West, ndërsa u njoftua edhe një protestë kombëtare më 11 korrik, në ditën kur është planifikuar zhvillimi i koncertit në Tiranë.
Organizatorët theksojnë se mobilizimi qytetar do të vazhdojë dhe se pjesëmarrja e qëndrueshme gjatë 38 ditëve të fundit tregon, sipas tyre, se pakënaqësia ndaj qeverisë mbetet e lartë.
Edhe këtë pasdite, bulevardi përballë Kryeministrisë pritet të mbushet sërish me protestues, të cilët kanë deklaruar se do të vijojnë tubimet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.