Çmimet e naftës u rritën me më shumë se 2% këtë të mërkurë, pasi Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme ajrore ndaj Iranit dhe rivendosën sanksionet ndaj shitjeve të naftës iraniane. Zhvillimet kanë shtuar shqetësimet se armëpushimi i brishtë mes dy vendeve mund të shembet, duke rrezikuar furnizimin me energji nga Lindja e Mesme, përcjell Reuters.
Nafta e tipit Brent u rrit me 1.92 dollarë, ose 2.6%, duke arritur në 76.08 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate (WTI) u ngjit me 1.82 dollarë, ose 2.6%, në 72.26 dollarë për fuçi.
Tregjet kishin reaguar që të martën, kur SHBA revokoi licencën e përgjithshme që lejonte shitjen e naftës iraniane, pas sulmeve të raportuara ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Si rezultat, të dyja kontratat e naftës shënuan rritje rreth 3%.
Analistët e tregut vlerësojnë se vendimi amerikan nuk ndryshon menjëherë balancën mes ofertës dhe kërkesës, por rrit pasigurinë dhe frikën për një përshkallëzim të ri të konfliktit.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), sulmet ajrore u kryen si përgjigje ndaj sulmeve iraniane ndaj tre anijeve tregtare që po kalonin në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.
Ekspertët paralajmërojnë se situata rikthen në vëmendje cenueshmërinë e kësaj rruge strategjike detare, përmes së cilës para konfliktit kalonte rreth një e pesta e furnizimit global me energji.
Pas armëpushimit të arritur muajin e kaluar mes SHBA-së dhe Iranit, çmimet e naftës kishin rënë në nivelet para luftës, ndërsa investitorët kishin shtuar bastet për ulje të mëtejshme të çmimeve, duke pritur rikthimin e furnizimeve nga Lindja e Mesme.
Megjithatë, tensionet e fundit kanë ndryshuar pritshmëritë e tregut. Katari ka akuzuar Iranin për sulmin ndaj një cisterne të gazit natyror të lëngshëm me flamur të Katarit, ndërsa burime të sigurisë detare raportuan se edhe një supertanker saudit është dëmtuar pranë brigjeve të Omanit, edhe pse shkaku mbetet ende i paqartë.
Sipas raportimeve, Irani ka urdhëruar anijet që të përdorin një korridor detar më pranë brigjeve të tij, ndërsa SHBA këmbëngul se lundrimi në Ngushticën e Hormuzit duhet të mbetet i lirë.
Ndërkohë, edhe rezervat amerikane të naftës kanë vijuar të bien. Të dhënat paraprake të Institutit Amerikan të Naftës (API) tregojnë një tjetër ulje të stoqeve javën e kaluar, duke shtuar më tej presionin mbi tregjet ndërkombëtare të energjisë.
