Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr pranë Inceneratorit të Elbasanit, tymi mbulon një pjesë të qytetit



Një vatër e madhe zjarri ka shpërthyer rreth orës 12:50 të kësaj të mërkure në zonën përgjatë lumit Shkumbin, pranë fushës së grumbullimit të mbetjeve në afërsi të Inceneratorit të Elbasanit.

Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre, ferra dhe bimësi të egër, duke u përhapur me shpejtësi dhe duke krijuar shtëllunga të mëdha tymi të dukshme edhe nga zona të largëta të qytetit.

Si pasojë e djegies së bimësisë dhe mbetjeve të ndryshme në zonë, në atmosferë janë çliruar re të dendura tymi, të cilat kanë mbuluar një pjesë të konsiderueshme të territorit përreth.

Sipas banorëve, tymi është përhapur në disa lagje të Elbasanit, duke shkaktuar shqetësime për cilësinë e ajrit dhe ndikimin e mundshëm në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga probleme të frymëmarrjes.

Përveç tymit të dendur, në qytet është ndier edhe një erë e rëndë dhe mbytëse, e cila sipas banorëve është përhapur në një pjesë të madhe të Elbasanit.

Situata ka rikthyer në vëmendje shqetësimet e vazhdueshme për ndotjen mjedisore në këtë zonë, e konsideruar prej vitesh si një nga pikat më problematike të qytetit për sa i përket ndikimit në mjedis.

Ngjarja vjen vetëm një ditë pas një tjetër episodi të rëndë ndotjeje. Pasditen e së martës, një zjarr i përmasave të mëdha në një biznes në territorin e ish-Kombinatit Metalurgjik krijoi re të mëdha tymi për disa orë, duke ndotur ajrin në periferi të qytetit dhe duke alarmuar banorët.

Dy incidente të tilla brenda më pak se 24 orëve kanë shtuar shqetësimin për gjendjen e mjedisit dhe nivelin e ndotjes atmosferike në Elbasan. Banorët kërkojnë ndërhyrje të institucioneve përgjegjëse për të zbardhur shkaqet e zjarreve, për të monitoruar cilësinë e ajrit dhe për të marrë masa konkrete për parandalimin e rasteve të ngjashme.

Ndërkohë, shërbimet zjarrfikëse dhe autoritetet janë angazhuar në terren për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit dhe minimizimin e dëmeve në mjedis.

Banorët e Bradasheshit dhe të lagjes “Skënderbej” shpresojnë në përmirësimin sa më të shpejtë të situatës dhe rikthimin e cilësisë normale të ajrit në zonë.