Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllet procesi i vetingut, pas tetë vitesh verifikim të sistemit të drejtësisë


Pas tetë vitesh nga nisja e reformës më të thellë në sistemin shqiptar të drejtësisë, është mbyllur zyrtarisht procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur si vetingu.

Përfundimi i mandatit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), institucioni që shërbeu si shkalla e dytë dhe përfundimtare e procesit, shënon epilogun e një reforme të paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar.

Ceremonia e përmbylljes së procesit u zhvillua në prani të përfaqësuesve më të lartë të institucioneve të drejtësisë, drejtuesve të shtetit shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtarë që kanë mbështetur reformën që prej fillimit të saj në vitin 2016.

Vettingu, i konsideruar një proces unik në Evropë, kaloi në filtër të trefishtë pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Që nga fillimi i procesit në shkurt të vitit 2018, janë rivlerësuar gjithsej 805 magjistratë në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë.

Bilanci përfundimtar tregon se vetëm 363 gjyqtarë dhe prokurorë u konfirmuan në detyrë, ndërsa 442 të tjerë dolën jashtë sistemit. Nga këta, 268 u shkarkuan me vendim të organeve të vetingut, 105 dhanë dorëheqjen gjatë procesit, ndërsa 49 u larguan pa një vendim përfundimtar.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian e cilësuan procesin si një arritje historike që e ka afruar Shqipërinë me standardet evropiane dhe me objektivin e anëtarësimit në BE.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, vlerësoi vullnetin politik dhe institucional që bëri të mundur realizimin e reformës.

“Vettingu ka qenë një proces historik që kërkonte vullnet të madh politik. Dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë vlerësim, punë e cila nuk ishte e lehtë. Tashmë standardet që janë vendosur duhet të mbeten ende, jo më me mekanizëm të jashtëzakonshëm, por me punë të rregullt të institucioneve. KLGJ dhe KLP tani kanë përgjegjësinë t’i mbajnë ato standarde”, deklaroi Gonzato.

Edhe përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Irena Moozova, theksoi rëndësinë e procesit në rrugëtimin evropian të vendit.

“Faleminderit të gjithë që kontribuuan në këtë proces, për të cilin tani po festojmë rezultatet pozitive. Përfundimi i vetingut vjen në një moment të veçantë të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Vettingu ka qenë një prej arritjeve më të rëndësishme për Shqipërinë dhe ka bërë që vendi të jetë më afër integrimit”, u shpreh ajo.

Krerët e institucioneve shqiptare e cilësuan reformën si një proces transformues për shtetin dhe drejtësinë shqiptare.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se reforma në drejtësi ka qenë një moment historik për vendin.

“Ishte një reformë epokale. Shqipëria sot është më afër se kurrë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria e vitit 2026 padyshim që nuk është ajo që ishte në vitin 2016”, deklaroi ai.

Nga ana e saj, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vlerësoi se reforma synonte vendosjen e standardeve të reja të përgjegjshmërisë në sistemin e drejtësisë.

“E zgjodhëm një rrugë jo të lehtë. E zgjodhëm këtë rrugë jo për të ndryshuar një emër me një tjetër, por për të vendosur parimin se toga nuk është mburojë dhe askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Procesi ka qenë i vështirë, ka sjellë vonesa dhe debate të forta publike dhe ka pasur kosto reale. Por kostoja e mosveprimit do të ishte më e madhe”, tha Koçiu.

Ndërsa kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Sokol Çomo, e përshkroi vetingun si një etapë të vështirë, por të domosdoshme për vendin.

“Ishte një përvojë e vështirë dhe e dhimbshme. Ishte një etapë që nuk ishte e lehtë për vendin tonë. Por kjo etapë ishte e nevojshme”, u shpreh ai.

Përmbyllja e vetingut konsiderohet një moment kyç në historinë e reformës në drejtësi, ndërsa vëmendja tashmë zhvendoset te funksionimi normal i institucioneve të reja të sistemit dhe ruajtja e standardeve të vendosura gjatë këtij procesi.