Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohen 7 mijë rrënjë kanabis në Velipojë


Një aksion i zhvilluar nga Policia e Shtetit në zonën e Reçit të Ri, pjesë e njësisë administrative Velipojë, çoi në zbulimin e 7.446 bimëve të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa. Pas operacionit ka reaguar ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili theksoi se lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike mbetet një nga objektivat kryesorë të institucioneve shtetërore.

Sipas tij, autoritetet nuk do të tregojnë asnjë tolerancë ndaj shkeljeve të ligjit dhe çdo rast do të trajtohet me përgjegjësi të plotë. Ministri vlerësoi punën e strukturave policore për identifikimin e parcelës me bimë narkotike, ndërsa përshëndeti edhe ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj efektivëve për të cilët ka dyshime se nuk kanë përmbushur siç duhet detyrat e tyre në monitorimin e territorit.

Lamallari bëri të ditur se përgjegjësitë individuale do të shqyrtohen në përputhje me legjislacionin dhe standardet profesionale në fuqi. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim të menjëhershëm dhe të koordinuar mes Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, me qëllim që verifikimi i rasteve, hetimet administrative dhe procesi i llogaridhënies të zhvillohen në mënyrë efektive dhe pa asnjë kompromis.

Sipas ministrit, standardi që kërkohet nga të gjitha institucionet ligjzbatuese është ai i përgjegjshmërisë, integritetit dhe reagimit të shpejtë ndaj çdo shkeljeje të ligjit apo moszbatimi të detyrës.

Ai shprehu mirënjohje edhe për qytetarët që bashkëpunojnë me organet e rendit, duke theksuar se informacionet e dhëna prej tyre kanë një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale. Po ashtu, Lamallari inkurajoi denoncimin e çdo aktiviteti të paligjshëm, duke e konsideruar kontributin e qytetarëve si një element të rëndësishëm për rritjen e sigurisë dhe forcimin e efektivitetit të Policisë së Shtetit.

Në përfundim, ministri i Brendshëm ritheksoi se lufta kundër narkotikëve dhe kundër çdo forme të paligjshmërisë do të vijojë të jetë një prioritet i pandryshueshëm i qeverisë, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se çdo person që nuk përmbush detyrimet e ngarkuara do të mbajë përgjegjësi përpara ligjit.