Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Irani rrëzoi një helikopter amerikan në Ngushticën e Hormuzit, SHBA do të përgjigjet


Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ka rrëzuar një helikopter luftarak amerikan të tipit Apache gjatë një misioni patrullimi mbi Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të reagojnë ndaj incidentit.

Në një postim në rrjetin e tij social, Trump tha se ishte informuar nga ushtria amerikane se helikopteri ishte goditur gjatë natës, ndërsa theksoi se dy pilotët që ndodheshin në bord janë shpëtuar pa pësuar lëndime, përcjell Ynet.

“Sapo jam informuar nga ushtria jonë e madhe se mbrëmë iranianët rrëzuan një nga helikopterët tanë shumë të avancuar Apache gjatë patrullimit mbi Ngushticën e Hormuzit. Në bord ndodheshin dy pilotë, të cilët janë të sigurt dhe pa lëndime. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara duhet domosdoshmërisht t’i përgjigjen këtij sulmi,” shkroi Trump.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara bëri të ditur se helikopteri AH-64 Apache ra rreth orës 03:00 të mëngjesit sipas kohës lokale pranë Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve detare më strategjike në botë.

Sipas ushtrisë amerikane, dy anëtarët e ekuipazhit u lokalizuan dhe u shpëtuan brenda rreth dy orësh nga një mjet detar pa pilot i Marinës amerikane. Autoritetet thanë se të dy ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Më vonë, gjatë një deklarate për gazetarët në aeroportin “John F. Kennedy” në Nju Jork, Trump konfirmoi se pilotët nuk kishin pësuar dëmtime.

“Pilotët janë mirë. Askush nuk është lënduar,” deklaroi presidenti amerikan.

Megjithatë, ende nuk është konfirmuar zyrtarisht shkaku i rrëzimit të helikopterit. Nuk dihet nëse ai është goditur nga forcat iraniane, ka pësuar defekt teknik apo është rrëzuar për arsye të tjera.

I pyetur nga gazetarët mbi shkakun e incidentit, Trump tha se një raport zyrtar pritet të publikohet më vonë gjatë ditës.

Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet një prej pikave më të ndjeshme për sigurinë dhe tregtinë globale të energjisë.