
Ambientet përpara Bashkisë së Sarandës u përfshinë nga tensione dhe përplasje gjatë protestës së zhvilluar nga një grup taksistësh, të cilët kërkuan një takim me kryetarin e bashkisë për të diskutuar shqetësimet që lidhen me aktivitetin e tyre.
Protestuesit dorëzuan një kërkesë-ankesë zyrtare, ku pretendojnë se automjete nga qytete të tjera, si Tirana, Delvina, Finiqi dhe Konispoli, po ushtrojnë aktivitet taksi në Sarandë në mënyrë të paligjshme dhe pa kontrollet e nevojshme nga institucionet përgjegjëse.
Sipas tyre, një tjetër problem mbetet mungesa e vendeve të dedikuara për parkimin e taksive të licencuara të qytetit, ndërsa ngritën shqetësime edhe për automjete që, sipas tyre, operojnë pa dokumentacionin e nevojshëm.
Situata u tensionua kur taksistët kërkuan të hynin në ambientet e bashkisë për t’u takuar me kryetarin, por fillimisht nuk u lejuan nga shërbimet e sigurisë. Kjo solli debate dhe përplasje verbale mes protestuesve, punonjësve të sigurisë dhe policisë bashkiake.
Pas negociatave, situata u qetësua dhe një përfaqësi e taksistëve zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, për të diskutuar kërkesat dhe shqetësimet e ngritura nga sektori i transportit taksi në qytet.