Vendosni fjalën kyçe....

Tension në Baks-Rrjoll, banorët protestojnë kundër rrethimit me tela me gjemba dhe pretendimeve për tjetërsim pronash



Në Baks-Rrjoll të Velipojës situata mes banorëve dhe zhvilluesve të një projekti turistik vijon të mbetet e tensionuar, pas vendosjes së telave me gjemba në një sipërfaqe toke që pretendohet nga banorët vendas.

Sipas tyre, një ish-zyrtar i Kadastrës së Shkodrës dyshohet se ka ndryshuar dokumentet e pronësisë, duke përvetësuar toka të tëra që më pas janë transferuar te investitori për ndërtimin e një resorti në zonën bregdetare. Rasti është aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Shkodrës, ndërsa banorët pretendojnë se procesi ka vijuar pavarësisht shqetësimeve të ngritura.

Situata në terren është shoqëruar edhe me përplasje fizike mes banorëve, përfaqësuesve të kompanisë ndërtuese dhe forcave të sigurisë private që ruajnë zonën, duke sjellë tensione të përsëritura në zonë. Leja e zhvillimit për projektin, sipas pretendimeve të banorëve, është firmosur nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Në reagimet e tyre publike, banorët thonë se rrethimi me tela me gjemba nuk përfaqëson vetëm një konflikt për tokën, por edhe për të drejtat dhe dinjitetin e tyre, duke e cilësuar situatën si shpronësim de facto.

Në shenjë proteste, një pjesë e tyre kanë zhvendosur qëndrimin nga Velipoja drejt Tiranës, ku janë bashkuar me tubimet që po zhvillohen prej disa ditësh në kryeqytet, në shenjë kundërshtimi ndaj zhvillimeve në zonë dhe mënyrës së trajtimit të çështjes së pronave.