
Kryeministri Edi Rama ka vijuar kritikat ndaj influencerave dhe bloggerëve që kanë mbështetur protestat qytetare të ditëve të fundit, duke i akuzuar se nxisin qëndrime negative ndaj punonjësve të huaj që vijnë për të punuar në Shqipëri.
Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Rama deklaroi se një pjesë e kritikëve të punësimit të të huajve nuk janë të interesuar të punojnë, por përfitojnë nga aktiviteti i tyre në rrjetet sociale.
“Problemi është që ata që nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj dhe ata që kujtojnë se punonjësit e huaj vijnë nga Filipinet si skllevër, ata nuk duan të punojnë dhe të marrin një pagë si në Greqi dhe Kroaci. Ose nuk janë në nevojë për një punë, përkundrazi punojnë në Instagram dhe japin intervista sesi jeta e tyre modeste kushton 20 mijë euro në muaj”, u shpreh Rama.
Kryeministri argumentoi se pagat në sektorin e turizmit lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e shërbimeve dhe nivelin e konsumit që sjellin turistët.
“Sa më e lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta do të jenë pagat. Sa më e ulët të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të ulëta do të jenë pagat. Sa më i lartë të jetë konsumi i atyre që vijnë për të shpenzuar në atë sistem, aq më të larta do të jenë të ardhurat”, tha ai.
Duke sjellë si shembull Zvicrën, Rama theksoi se vendet me turizëm cilësor arrijnë të ofrojnë edhe paga më të larta për punonjësit.
“Zvicra, që është një vend turistik gjithashtu, është një vend shumë i shtrenjtë, por ka paga shumë të larta. Ka paga shumë të larta sepse ka mundësinë të jetë e shtrenjtë, pasi ka cilësi shumë të lartë”, deklaroi kryeministri.