Vendosni fjalën kyçe....

Rama për protestat në Tiranë: Ka dezinformim dhe ndërhyrje të aktorëve të jashtëm, Irani u përfshi menjëherë


Kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat e zhvilluara në ditët e fundit në Tiranë po shoqërohen me një fushatë të gjerë dezinformimi dhe manipulimi në rrjetet sociale, ndërsa akuzoi aktorë të jashtëm për përpjekje për të ndikuar në debatin publik në Shqipëri.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë nga vendet e Bashkimit Europian, Rama tha se institucionet shqiptare po mbledhin të dhëna dhe prova që, sipas tij, tregojnë përdorimin e materialeve të manipuluara dhe informacionit të rremë për të fryrë situatën përreth protestave.

“Flitet për gjëra që nuk ekzistojnë, që janë të rreme. Ne po punojmë dhe do të dalim me fakte konkrete. Do të tregojmë sa shumë materiale të manipuluara, sa shumë dezinformim dhe sa shumë inxhinierim informacioni po përdoret për këtë çështje,” u shpreh Rama.

Sipas kreut të qeverisë, disa aktorë po përpiqen të shfrytëzojnë situatën për interesa që nuk lidhen drejtpërdrejt me Shqipërinë.

“E dimë faktikisht që ka aktorë që po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë situatë për agjendat e tyre, të cilat nuk kanë lidhje me Shqipërinë si objektiv, por e përdorin atë për qëllimet e tyre politike,” deklaroi ai.

Rama përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë Iranin, duke pretenduar se Teherani është përfshirë në shpërndarjen e narrativave që lidhen me protestat.

“Nuk kam thënë kurrë dhe nuk e them që Irani e shpiku këtë histori, por them që Irani u hodh menjëherë në të. Këtë e dimë me fakte,” tha kryeministri.

Ai kujtoi gjithashtu sulmet kibernetike që Shqipëria ka atribuar më herët ndaj Iranit, duke argumentuar se ekziston interes për të lidhur protestat me narrativa gjeopolitike që nuk kanë lidhje me çështjen e debatit në vend.

“Kush e ka interesin të krijojë dhe të ndezë narrativa anti-izraelite, anti-hebraike apo antisemite? Çfarë lidhje ka Gaza me këtë zhvillim? Megjithatë, këto narrativa kanë gjetur terren për t’u shpërndarë,” u shpreh Rama.

Kryeministri foli edhe për atë që e cilësoi si konkurrencë rajonale në sektorin e turizmit, duke pretenduar se lajme të rreme janë përdorur për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.

“Kemi hasur shpesh informacione të rreme që vijnë nga konkurrenca në fushën e turizmit. Madje, edhe disa raportime për pjesëmarrjen në protesta janë shpërndarë pa verifikim dhe janë amplifikuar në rrjetet sociale,” deklaroi ai.

Rama vijoi suke thënë se fenomeni i dezinformimit është pjesë e realitetit të sotëm global dhe kërkon më shumë kujdes në verifikimin e informacionit.

“Kjo është bota ku jetojmë. Mund të duket çmenduri, por ky është realiteti me të cilin përballemi çdo ditë,” u shpreh kryeministri.